Vizita ime e parë në Indi e ka zanafillën në Goa. Qëndrimi atje kishte një objekt të vetëm, 100% të kohës do ja dedikoja vetes si pjesëmarrëse në “Sacred Sangha Retreat” organizuar nga mësuesja ime, @MomentumYogaFlow. Programi i këtyre 10 ditëve ishte aq interesant sa i bëri ditët të kalonin sa hap e mbyll sytë. Ndoshta ishte rutina e shëndetshme, shoqëria e mrekullueshme ose kurioziteti për kulturën vendase, pak rëndësi ka. Në këtë artikull dua të ndaj përshtypjet e mia për 10 ditët e para të një udhëtimi një mujor, të cilat i kalova kryesisht në Mandrem, Goa.
Arrita ditën e parë në aeroport pas rreth 20 orë udhëtim, taksia që kisha porositur nga hoteli nuk po dukej, prandaj mora një “pre-paid taxi” në aeroport që më kushtoi akoma më pak, rreth 1400 Lekë. Një rastësi shumë e leverdisshme për mua si Shqiptare, ishte se Ruppie Indian dhe Leku Shqiptar, kanë një vlerë shumë të përafërt, dhe për këtë arsye nuk më duhej të bëja konvertime në mendjen time sa herë që paguaja për diçka.
Pasi arrita në hotel, u qetësova pak dhe dola për të bërë pazaret e nevojshme rreth e përqark pasi këmbeva para: një kartë sim vendase dhe një tapet të lirë për ato ditë. Karta sim kushtoi rreth 500 Lekë dhe ofronte 2 GB në ditë për dy javë, paketë e cila u rinovua automatikisht, për shkak se viza ime skadonte së shpejti. Blerja e kartës kishte një procedurë që të merrte rreth 30 minuta dhe kërkonte pashaportën fizike me vete. Në 4:30 filloi klasa e parë e Yoga-s dhe më pas Ceremoninë e Hapjes, ku të gjitha pjesëmarrëset u njohëm me njëra-tjetrën, veshur me të bardha dhe gjerdanin e famshëm me lule, të ceremonive indiane.



Ditët do ti ngjanin njëra-tjetrës, në mëngjes meditonim për rreth një orë, hera herës edhe buzë detit. Meditimi ndiqej nga “Dynamic flow” për rreth një orë e gjysëm dhe mëngjesi. Pas mëngjesit e kaloja kohën duke bërë banjo dielli dhe duke lexuar buzë detit apo pishinës. Momente të cilat shoqëroheshin zakonisht me ujë të freskët arre kokosi nga pemët rreth e përqark. Duke qenë se sezoni i Triathloneve ishte afër, e shfrytëzova të qenit pranë detit për të bërë not dhe vrap mëngjeseve duke sakrifikuar orën e meditimit. Ndonjëherë i bashkohesha seancave të avancuara gjatë drekës, si ato të qëndrimit me duar apo me kokë. Shumë pranë ndodheshin qendra të ndryshme masazhi, me çmime shumë të arsyeshme. Prandaj kur e ndjeja veten paksa të ngarkuar, llastohesha me një masazh.
Njërën prej ditëve vendosa që pas mëngjesit të shkoja për të bërë pazare. Patjetër që çdo artikull i ekspozuar në dyqanet rreth e përqark të merrte mendjen dhe zemrën me ngjyrat dhe motivet e veçanta. Përveç Mandremit, një ditë vizitova edhe Arambol, ku kishte më shumë varietet dhe çmime akoma më të mira. Bleva shumë gjëra për vete dhe dhurata për të dashurit e mi në Shqipëri. Duhet të negocioje pa fund, pasi çmimi fillestar mund të ishte 3-4 herë më shumë se sa vlera e vërtetë e produkteve. Kjo ishte pjesa më e lodhshme për mua, jo vetëm gjatë pazarit në Goa, por edhe gjatë udhëtimit në Trekëndëshin e Artë.



Pasdreke përsëri praktikonim yoga. Asnjë nga praktikat nuk i ngjante tjetrës. Të dyja mësueset kishin krijuar sekuenca shumë interesante dhe sfiduese për mëngjesin dhe relaksuese për pasditen. Rreth orës 7 të gjitha pjesëmarrëset që u bëmë mikesha shumë shpejt, konsumonim darkën sëbashku. Edhe mëngjesi edhe darka shërbeheshin në formë bufeje, me ushqim të shijshëm indian. Kuzhina ishte vetëm vegjetariane, prandaj më duhej që gjatë ditëve të qëndrimit atje, të konsumoja proteinë shtesë. Ishte një eksperiencë e re për mua duke qenë se preferoj mishin të paktën në një vakt të ditës.
Gjatë mbrëmjeve edhe pse sezoni i pushuesve ishte drejt fundit, Goa ofronte një program të larmishëm aktivitetesh. Një prej tyre ishte edhe “Ecstatic Dance”, një fenomen që e dëgjoja për herë të parë, por që atje ishte mjaft popullor. Diçka që nuk e kuptova shumë mirë, pasi unë gjithmonë kërcej ashtu si më vjen të kërcej. Unë kisha planin tim që përfshinte një mbrëmje të dedikuar “Psy-Trance”. ‘Shiva Valley’, në Anjuna, ishte aktiviteti im i shumëpritur dhe ndodhej rreth 40 minuta larg Mandrem-it me taksi. Edhe pse shkova shumë herët, muzika ishte fantastike dhe ambjenti gjithashtu. Skena rrethohen nga ngjyra shumengjyreshe, nje sistem zëri i përkryer dhe më e rëndësishmja, buzë detit. Kur pista e vzllezimit u mbush plotësisht, atmosfera u bë edhe më elektrizuese.
Një ditë prej ditësh zura miqësi të re ndërsa lexoja buzë pishinës. Miqtë e mi të rinj ishin nga Mumbai dhe ma morën zemrën përnjëherë. Më ftuan për ta kaluar mbrëmjen me ta dhe pata fatin të vizitoja vende që e vetme nuk do të kisha mundur ti vizitoja si Boilermaker dhe Arambolians. Të dyja vende që i rekomandoj 100%. Të parin për muzikën e mirë, koktejet dhe ushqimin e shpejtë, të dytin për atmosferën dhe kontaktin me kulturën vendase.



Kështu papritur i erdhi fundi 10 ditë yoga intensive në GOA. Mund të vazhdoja gjithë jetën me atë rutinë dhe qetësi. Megjithatë mora shumë gjëra me vete nga ajo tokë dhe përvojë. Përveç qetësimit të brendshëm eksporimit të mëtejshëm të Yoga-s dhe shumë përgjigjeve, mora një grusht me miq të mirë që tashmë i kam shumë përzemër.
