Lindja e Mesme Udhëtime

Jordania, Gojëdhëna Shkretëtire dhe Traditë

Në Amman mbërritëm vonë në mbrëmje. Duke qenë se kishim marrë Jordan Pass paraprakisht, procedura e vizës në aeroport nuk na vonoi aspak. Morëm taksinë e aeroportit Qataxi për në hostel e më pas dolëm për darkë. Ishte nata e fundit e festimeve të Bajramit dhe qyteti gjëmonte. Gjetja e asaj mbrëmjeje ishte Hashem Restaurant në qendër të qytetit. Shijuam falafel, erëzat arabe, humus dhe salcat e tjera që shoqëroheshin me pite. Më pas u endëm nëpër dyqane dhe u kthyem për t’u bërë gati për të nesërmen.

Dita e dytë ishte rezervuar për plazh në Detin e Vdekur. Fillimisht shkuam të merrnim makinën me qira, zyra e së cilës ishte shumë pranë aeroportit. Kishim vendosur ta mbanim për të gjithë kohëzgjatjen e udhëtimit. Me ta marrë, u nisëm drejt “Salt Beach”. Edhe pse pak më larg se alternativat e tjera, ishte një breg jashtëzakonisht i veçantë. Duke qenë se ndodhej larg, nuk dukej as hija resorteve, të cilët pak më parë i kishim kaluar me makinë. Kudo rrethoheshe nga kripa dhe shkretëtira. Vetëm një tezgë të bënte shoqëri. Nuk kishte asnjë lloj shërbimi si çadër, shezlon etj. Nga ana tjetër, me shkëmbinjtë prej kripe rreth e përqark, vështirë se mund të vije çadër diku.

Duke e ditur situatën paraprakisht, kishim marrë me vete ujë dhe pak ushqime. Gjetëm një vend buzë detit dhe u rehatuam. Relievi i bregut ishte i tëri prej kripe, megjithëse kripa merrte forma të ndryshme. Shkëmbinj prej kripe, kristale të mprehta, rërë e bardhë, gjithçka të rrethonte ishte prej kripe. Përveç relievit, eksperienca e pluskimit mbi ujin e Detit të Vdekur ishte tejet e veçantë. Asnjëherë më parë nuk kam provuar një mbështetje të tillë nga uji i detit. Fundosja thjesht nuk ishte opsion. Kripa që mbetej në lëkurë ishte shumë e butë dhe me një të prekur shndërrohej në vaj. Kaluam disa orë të mira në plazh duke u mahnitur me dukuritë natyrore të pikës më të ulët mbi tokën e thatë, 400 metra nën nivelin e detit.

Pasi u ngopëm me diell dhe me kripë, nisëm rrugën e kthimit për në Amman dhe rrugës ndaluam për të parë perëndimin e diellit. Mbrëmja në Amman ishte e ngjashme për nga gjallëria me një ditë më parë. Edhe pse festimet e Bajramit kishin përfunduar, qendra e qytetit nuk donte t’ia dinte. Ajo vazhdonte të gëlonte edhe pas mesnatës.

Të nesërmen na priste një rrugë e gjatë drejt Petrës. Mëngjesin e përgatitëm vetë në një furrë buke: panine me vezë, djathë “bebe” dhe erëza e salca nga më të ndryshmet. Pa u larguar shumë nga Ammani realizuam një ndalesë në malin Nebo. Relievi ishte dramatik; vetë ngjitja deri në majë ishte sfiduese edhe me makinë. Në majën e malit u përpoqëm të shihnim me sytë e Moisiut tokën e premtuar — një shkretëtirë e paanë. Pasi vizituam kishën dhe muzeun, të cilat nuk janë të përfshira në Jordan Pass, nisëm rrugën për në Wadi Mousa. Atë mbrëmje shijuam ushqimin tradicional Mansaf dhe provuam shisha në një nga lokalet vendase. Përsa i përket dy ditëve në Petra, kam shkruar një tjetër artikull të plotë që mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Pas Petrës, destinacioni i radhës ishte Wadi Rum. Arritëm në qendrën e vizitorëve natën vonë, ku na priste Khaled. Makinën e lamë aty dhe guida na mori me një ‘jeep’ për të na futur në thellësitë e shkretëtirës, ku ndodhej edhe kampi beduin ‘Desert Eyes’. Ecëm me makinë rreth 20 minuta në shkretëtirë, me hënën që na bënte shoqëri. Vetëm disa drita të zbehta të kampeve të tjera dukeshin larg. Asgjë nuk pipëtinte përveç makinës sonë. Me të mbërritur në kamp, hëngrëm darkë dhe u ulëm rreth zjarrit për të shijuar pak çaj. Më tej, i zoti i kampit, beduin, na shoqëroi në një ecje të shkurtër përreth, ku na tregoi gjurmë të lashta në shkëmbinjtë përreth. Na foli për zakonet e tyre, për lojërat që zhvillonin dhe se si çdo majë shkëmbi, edhe pse të ngjashme, kishte emrin e vet.

Qershia mbi tortë e asaj dite ishte pikërisht shetitja që Khaled na ofroi me jeep-in e tij personal. Ecëm për kilometra të tërë në mesnatë, mes për mes shkretëtirës, derisa edhe dritat e zbehta të kampeve nuk dukeshin më. Shkuam aq larg, sa nëse do të na duhej të ktheheshim në këmbë në kamp, do të mbërrinim aty vetëm në të gdhirë.

Në mëngjes u zgjuam herët për të parë agimin. Dielli shfaqej me vonesë për shkak të shkëmbinjve që ngriheshin kudo përgjatë shkretëtirës. Hëngrëm mëngjes dhe rreth orës 09:30 ishim gati për të nisur eksplorimin e Wadi Rum, një zonë e mbrojtur. Pika e parë e ndalesës ishte një dunë e madhe, të cilën e ngjitëm me shumë vështirësi. Pikërisht në këtë zonë janë xhiruar skena nga filmi ‘Lawrence of Arabia’. Ky film ishte një nga shtysat kryesore për mua për të vizituar Jordaninë. Asgjë që na rrethonte nuk dukej tokësore. Ishte sikur të ishim duke eksploruar planetin Mars. Jo më kot edhe shumë filma të tjerë si ‘The Martian’ dhe ‘Dune’ janë xhiruar pikërisht në peizazhet e Wadi Rum.

Ndalesat e tjera të turit ishin të shumta dhe të gjitha mahnitëse. Ecëm midis kanioneve të shumta, u ngjitëm në shkëmbinj të lartë, soditëm rërën që ngrihej nga era. Një ndjesi e re magjepsëse krijohej pas çdo ndalese. Në drekë ndaluam në hijen e një shkëmbi për të pushuar. Guida gatoi një gjellë beduinësh, pikërisht aty në shkretëtirë: pak qepë, domate, fasule dhe padyshim erëza. Është e kotë të përpiqem të shpjegoj sa shumë shijonte ajo.

Nëse do të më duhej të veçoja një nga pikat që vizituam, ajo do të ishte “The Bridge”. Sapo e sheh këtë formim shkëmbor, është thuajse instinktive dëshira për ta ngjitur. Një nga ndalesat e tjera ishte për të provuar ‘sand-surfing’. Një eksperiencë interesante, por goxha e lodhshme, duke qenë se ngjitja e dunave të rërës është sfiduese në llojin e vet. Vizita në Wadi Rum u përmbyll me perëndimin e diellit. Për fat të keq, stuhia e erës nuk e lejoi një perëndim të plotë, por gjithsesi ishte një dukuri natyrore shumë interesante.

Me tu kthyer në qendrën e vizitorëve, morëm makinën dhe u nisëm për në Aqaba. Ishim të lodhur, megjithatë pasi lamë gjërat në hotel, dolëm për një shëtitje dhe për të ngrënë darkë. Brigjet e Detit të Kuq ishin plot me njerëz që dëgjonin muzikë, kërcenin, hanin e pinin. Edhe pse ishte pas mesnate, kishte ende familje me fëmijë që po bënin piknikun e tyre të natës buzë detit.

Në Aqaba bëmë edhe blerjet e fundit: temjan, parfume dhe të tjera si këto. Qyteti është një Zonë e Tregtisë së Lirë, ndaj çdo produkt ishte shumë më lirë në krahasim me pjesën tjetër të Jordanisë. Duke qenë se është edhe i vetmi port i vendit, në hyrje dhe dalje kishte postoblloqe kontrolli për të ruajtur kufijtë e tregtisë së lirë.

Të nesërmen shkuam në South Beach 13. Edhe pse bregu ishte i njëjtë me plazhin e qytetit, na rekomanduan të shkonim atje për të shmangur shikimet e vendasve. Në fund të fundit, doja thjesht të merrja disa rreze dielli rehat. South Beach ofronte çadra dhe banjo publike. Plazhi ishte ranor, por bregu i detit kishte shkëmbinj dhe nuk ishte e thjeshtë të hyje në ujë. Njerëz kishte shumë pak, përveç grupeve të zhytësve që futeshin dhe dilnin nga uji herë pas here. Nga kjo pikë mund të shihnim Egjiptin përballë dhe Izraelin në të djathtë. Shijuam qetësinë e plazhit deri nga dreka, kur morëm rrugën e kthimit për në Amman.

Ditën e fundit në Amman e kaluam duke shëtitur në qendër të qytetit. Kryefjala e këtij qyteti janë shkallët. Në çdo kthesë mund të shfaqen shkallë të ngushta e të gjata. Vizituam gjithashtu Amfiteatrin Romak dhe Muzeun e Traditave Popullore. Të dyja janë të përfshira në Jordan Pass. Muzeu ishte vërtet interesant, pasi ishte hera e parë që mësoja për traditat dhe veshjet e beduinëve.

Ishte një udhëtim që për një javë na solli peizazhe të pazakonta, shije të reja, dhe eksplorim të lashtësisë. Jordania është pa dyshim një nga destinacionet më unike që kam vizituar deri më sot. Jo vetëm për ata që po gjuajnë 7 Mrekullitë e Botës, por për këdo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *