Duke lënë pas me magjepsje Maasai Mara-n, udhëtimi vazhdoi drejt Nakuru-s. Rruga ishte sfiduese, me gropa dhe pluhur për një kohë të gjatë. Ndaluam për drekë në një restorant që kishte edhe një dyqan të madh me ‘souvenirs’. Kjo ndalesë ju përshtat më së miri disa prej bashkëudhëtarët tanë, të cilët nuk do ta vizitonin Nairobin. Pas një udhëtimi të gjatë me makinë, më në fund arritëm në Nakuru, u sistemuam në hotel dhe shijuam një pasdite të qetë duke eksploruar zonën përreth. Një shëtitje e shkurtër rreth hotelit na çoi në një treg aty pranë ku morëm disa fruta ekzotike.

Të nesërmen, destinacioni ynë ishte Liqeni Nakuru. Edhe pse një park më i vogël se Maasai Mara, ky park kombëtar ishte shumë i veçantë, pasi është shtëpia e Rinocerontit të Zi. Ato janë specie kritike të rrezikuara, të mbrojtura me ligj dhe numri më i madh i tyre mund të gjendet pikërisht këtu. Duke parë nga afër këto krijesa madhështore, gjatësia e brirëve të tyre i tejkaloi pritshmëritë e mia. I vëzhguam nga ‘xhipi’ në një distancë prej afërsisht 20 metrash. Një përvojë mahnitëse që plotësoi anëtarin tonë të katërt të “The Big Five”. Masat e rrepta të mbrojtjes së parkut ishin të dukshme, me roje të shumtë që ruanin sigurinë e këtyre krijesave të çmuara.




Gjatë shëtitjes me makinë pamë shumë majmunë, babuinë dhe kafshë të tjera, së bashku me gjirafën e Rothschild-it. Mund t’i dallosh nga llojet e tjera të gjirafave nga këmbët e tyre të bardha. Megjithatë, objektivi kryesor ishte gjiri plot me flamingo dhe pelikanë. Ishte një nga ato momente të rralla kur mund të zbrisnim nga xhipi dhe të shijonim atmosferën prej vërteti. Vendi i qindra prej këtyre zogjve që fluturonin ndërsa i afroheshim ishte një moment marramendës dhe i paharrueshëm.
Përpara se t’i thoshim lamtumirë Liqenit Nakuru dhe të vazhdonim aventurën tonë për në Naivasha, u nisëm për një udhëtim me varkë rreth liqenit. Gjatë shëtitjes hasëm hipopotamë dhe një shumëllojshmëri zogjsh. Megjithëse dielli perëndonte, rrezet i ndjenim të forta dhe kishe nevojë për një kapelë dhe krem mbrojtës nga dielli. Guida jonë e varkës u përpoq të tërhiqte shqiponjat duke hedhur peshq, por shqiponjat me sa duket nuk ishin të uritura.



Duke u kthyer në hotelin tonë të ri, provuam një pjatë lokale me peshk (emrin e të cilit nuk e mbaj mend) shijuam disa birra, qeshëm dhe u çlodhëm në shoqërinë e njëra-tjetrës.
Aktiviteti ynë i fundit safari ishte në “Portën e Ferrit”. Ramë dakord si grup të merrnim me qira biçikleta për të përshkuar parkun. Gjetëm biçikletat më të këqija që mund të imagjinohen, të ndryshkura, të rënda dhe me marshe që nuk punonin. Kushtonin 10 dollarë, që ishte e shtrenjtë për cilësinë e tyre dhe Kenian në përgjithësi.
“Parku Kombëtar Hell’gate është afër vullkaneve Longonot dhe Suswa. Është i mbuluar nga hiri i shpërthimit të Longonot që ndodhi 100 vjet më parë. Sot ka peizazhe spektakolare me shkëmbinj gjigantë, vullkane të mbuluara me shkurre, gryka të shqyera nga uji dhe re avulli gjeotermik.” – UNESCO, 2023




Kjo është e gjitha që mund të thuhet me fjalë. Peisazhi ishte i një tjetër bote. Pavarësisht udhëtimit sfidues për shkak të biçikletave të dobëta, ne pedaluam nëpër park, duke kaluar pranë zebrave, gjirafave dhe antilopave. Në mes të udhëtimit ecëm pak për të arritur te ‘King’s View’, e cila supozohej të ishte frymëzimi për një skenë në filmin Mbretin Luan. Ishte mbresëlënëse, por asgjë në krahasim me atë që përjetuam gjatë udhëtimit për atje.
Udhëtimi i kthimit ishte i lodhshëm. Dielli na piqte pa pushim ndërsa shtynim pedalet në malore. Megjithatë, me vendosmëri, arritëm të ktheheshim te porta para orës 11:30 të mëngjesit. Ishte fundi. “Qershia mbi tortë” e aventurës sonë safari. Ne filluam udhëtimin tonë të kthimit për në Nairobi, por kjo është një tjetër histori.







