Mënyrë Jetese Opinione Të tjera Udhëzues

3 Formula Kursimi nga Keti

Më në fund u ula të shkruaj një artikull për paratë. Këtu nuk do të flasim se si mund të bëheni të pasur, por si të zbulojmë vlerën e vërtetë të të ardhurave që i kemi tashmë. Prandaj, nëse nuk keni një burim të ardhurash fikse, vizitoni një faqe trajnimi ose punësimi.

Pse po e ndaj këtë artikull në një blog qejfi? Sepse që të bësh qejf, të duhen para. Udhëtimet përtej kontinentit janë përgjithësisht të kushtueshme për dy arsye: bileta e shtrenjtë e avionit dhe koha e gjatë e udhëtimit. Për këtë arsye, udhëtime të tilla kërkojnë kohë kërkimi, kursimi dhe planifikimi. Qëllimi për këtë artikull është të ndaj disa nga mënyrat e mia të kursimit, të grumbulluara që nga vitet e Fakultetit të Ekonomisë e deri më sot. Kështu uroj që të kurseni për udhëtimet tuaja të ëndrrave apo për ç’ju dikton zemra.

Të kursyerit, për shumë njerëz, duket si diçka që nuk ja vlen barra qiranë. Kjo nisur nga sasia e parave që marrin rregullisht. Por le të sqaroj diçka këtu: nëse keni para për të paguar një këst overdrafti apo “kredie pushimesh” për 1–3 vitet e ardhshme, keni mjaftueshëm para për të kursyer. Mendojeni kursimin si një kredi për së mbrapshti, ku kushtet e likuiditetit i cakton ti.

1. Njëherë e përgjithmonë*

Le të fillojmë nga baza. Në Shqipëri, bankat e nivelit të dytë tashmë ofrojnë transferta automatike mujore midis llogarive. Transfertat zakonisht janë shuma fikse mujore. Në këtë shumë ju mund të përfshini të gjitha kursimet tuaja mujore. Duke i hequr aksesin nga karta e debitit, dhe duke pare shumen neto ne llogarine rrjedhese, do ta keni disi te lehte te mos tundoheni. Megjithate, duhet edhe pak force vullneti qe te mos e prekni gjate muajit llogarine e kursimeve per arsye banale.

Tani çështja mbetet se si të llogarisim shumën që mund të kursejmë. Formula që ndjekin bankat për kredi zakonisht është: 40% e të ardhurave kësti dhe 60% jetesa. Prandaj, 40% mund të themi që është vlera maksimale e kursimeve tona dhe minimalen po e vendosim 5%.

Kursimet kanë nevojë për një qëllim, edhe nëse qëllimi është i thjeshtë. Pse po i ndajmë këto para mënjanë? Mbase kot, mbase duam të vizitojmë Afrikën, ndoshta duam një biçikletë të re, apo thjesht të kemi disa para emergjence mënjanë. Sido që të jetë përgjigjja, ajo do t’ju ndihmojë të vendosni sa para keni mundësi, apo jeni të gatshëm të sakrifikoni në këto momente, për atë qëllim që keni vendosur.

Duhet të jemi realistë me pritshmëritë tona dhe të llogarisim edhe kohëzgjatjen e arritjes së qëllimit. Supozojmë që po planifikoni një udhëtim me vlerën 300.000 Lekë. Nëse kurseni 5.000 Lekë në muaj për këtë udhëtim, do të mund ta realizoni pas 5 vitesh. Tani peshojeni situatën: është ok për ju të prisni 5 vite, apo keni mundësi ta rrisni shumën në 10.000 Lekë dhe ta afroni udhëtimin me 2.5 vite? Nëse asnjëra nuk vlen, duhet të rishikoni qëllimin dhe të shtrini këmbët sa keni jorganin ose të gjeni një burim shtesë të ardhurash.

Shuma e kursimeve për secilin prej nesh do të dukej krejtësisht e ndryshme. Per dikë mund të duket kështu: 10% Fondi i Shëndetit dhe për dikë tjetër kështu 10% Telefoni i ri +15% Pushimet 2026 + 15% Kot. E rëndësishme është që ta nisni nga diku, qoftë edhe vetëm 5% në muaj.  

Për një shërbim të tillë, zakonisht duhet të vizitoni një degë të bankës vetëm herën e parë për ta krijuar, më pas shuma e vendosur kalon automatikish çdo muaj në datën e caktuar. Transferta realizohet në këtë mënyrë: dy llogari brenda së njëjtës banke. Njëra është kursimi dhe tjetra është rrjedhëse ose e pagës. Tek llogaria rrjedhëse vijnë të ardhurat e rregullta mujore.

5 ditë pune pas datës së fundit që duhet të vijnë paratë mujore, vendos një transfertë automatike me vlerën totale të kursimeve, drejt llogarisë së kursimeve. Kjo vlerë nuk ndryshon më shpesh se një herë në vit për mua. 

*Nëse të ardhurat tuaja të rregullta janë vjetore, atëherë kjo formulë nuk aplikohet dot për ju.

Photo by Tech Daily on Unsplash
2. “Blije 3 herë”

Një tjetër qasje që më ka ndihmuar të kursej është edhe ripeshimi i blerjeve jo “jetike”, qofshin këto të mëdha ose të vogla. Nëse më shkon mëndja të ble diçka për të cilën nuk kam realisht nevojë, vendos mënjanë aq para sa kushton. I kaloj në llogarinë e kursimit, ose i fus në një arkë kursimi.

Është edhe rasti tjetër kur vërtet na mungon diçka dhe na nevojitet diçka e re. Këtu, përsëri, duhet të kemi mendjen tek: shtri këmbët, sa ke jorganin. Nëse atë produkt apo shërbim që të mungon kerkon ta blesh, shikoni gjendjen tuaj financiare: a do të kishe mundësi ta blije 3 herë këtë produkt në këtë moment dhe kushtet e tua financiare të mos ndikoheshin? Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë ky produkt apo shërbim është përtej mundësive të tua dhe duhet ta rishikoni edhe një herë vendimin për ta blerë.

Nëse nuk është diçka vërtet e rëndësishme, nuk ke pse e shtrëngon veten. Merr vlerën e çmimit të produktit dhe vëre mënjanë. Mbase pas 2–3 muajsh mund të jenë pjekur kushtet për ta blerë, ose mbase e ke harruar fare që e doje një gjë të tillë. Për të menaxhuar dilemat e blerjeve, ju vjen në ndihmë edhe artikulli “5 pyetje që duhet t’i bësh vetes para çdo blerjeje”.

3. Kursimi vjen i pari

Formula e fundit është edhe ajo më radikalja, që përgjithësisht më ka ndihmuar të dal nga periudha të vështira financiare: konsumo pasi të kesh kursyer. Në këtë rast, kursimi supozohet t’i kalojë 40% të të ardhurave. Formula të tilla nuk janë për t’u aplikuar për periudha të gjata, sepse janë shumë kufizuese për një cilësi të mirë jete, por janë shumë të dobishme në momentin që na duhet një shumë e caktuar parash për diçka specifike.

Le të themi se duam të blejmë një makinë të re. Nëse gjysmën e parave i kemi të ruajtura nëpërmjet formave të tjera, pjesën tjetër mund ta ruajmë për një kohë më të shkurtër nëse kursejmë shumicën e të ardhurave mujore dhe bëjmë një jetë shumë të thjeshtë. Në këto raste nuk supozohet të bëhet asnjë blerje që nuk është “jetike”.

Çfarë nënkuptoj me “jetike”: ushqimi i gatuar në shtëpi, dritat, uji, interneti/telefoni, strehimi, 1-2 kafe, ja dhe 1–2 gota në fundjavë. Gjatë këtij muaji do të keni buxhetin e pazarit të shtëpisë mënjanë, pagesat fikse mujore dhe një buxhet fiks ditor për të shpenzuar, p.sh. 2 euro gjatë javës dhe 10 euro në fundjavë. Çdo para tjetër përtej vendoset mënjanë.

Dhe në fund, mos e shiko kursimin si dënim apo si “heqje dorë nga jeta”. Shikoje si një mënyrë për t’i dhënë vetes liri: lirinë për të thënë “po” gjërave që vërtet ta mbushin zemrën. Edhe 5% në muaj, të ndryshon mendësinë, dhe zakonisht, mendësia të ndryshon realitetin.

Për reflektim: Sa orë pune kushtoi dalja e fundit për pazar?

Kam mbi 10 vite që përdor këtë metodë. Merr çmimin e një artikulli që dëshiron (ose artikujve, nëse janë të kategorisë 9.99) dhe ktheje në orë pune. Sa orë nga jeta jote do të sakrifikosh për ta bërë blerjen? A ja vlen? Ato nuk janë thjesht orë pune, por jetë. Momente kur nuk ishe me familjen, nuk ishe me miqtë, nuk ishe duke bërë diçka për qejfin tënd. Nëse nuk është një nevojë, por tekë, përgjigjja është: jo, nuk ja vlen.

Photo by Jakub Żerdzicki on Unsplash.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *