Vetëm sepse diçka është e bukur dhe na pëlqen, nuk do të thotë që duhet ta kemi me patjetër. Shpeshherë e llastojmë veten me justifikime si “Kam punuar fort këtë periudhë, e meritoj”. Por jo! Të shpërblesh lodhjen me të mira materiale nuk është një strategji e qëndrueshme. Nëse vërtet ke punuar shumë, shpërbleje veten me një eskursion, një ecje në mal, një ditë në qender ‘SPA’. Jepi trupit dhe mendjes çfarë kanë vërtet nevojë.
Për të lundruar më mirë vendime të këtij lloji, drejtoji vetes pyetjet e mëposhtme:
A përputhet me stilin tënd të jetesës?
Jo çdo gjë që të tërheq, është për ty. Mund të mos jetë e stilit tënd, ose stilit tënd të jetesës. Në rastin tim, duke qenë se përdor biçikletën çdo ditë, shumë modele fundesh dhe fustanesh janë të papërshtatshme për mua. Ose janë shumë të shkurtra, ose të ngushta, ose të gjata dhe kapen tek frenat mbrapa. Prandaj mendohem 2-3 herë përpara se të marr një fund apo një fustan.
A është vërtet për ty, nëse nuk mund ta përballosh sot?
Nuk do synoja kurrë të bëja timen diçka të shtrenjtë dhe përtej mundësive të mia. Këtu nuk po flasim për kursim, por për kultin e konsumit.
Një këshillë financiare, e përshtatshme për blerje të shumave të mëdha do të ishte: Nese nuk i ke tani parate ne gjendje per te blere tre artikuj te tille, do të thote qe eshte pertej mundesive te tua. Nese nuk eshte dicka vertet e rendesishme, nuk ke pse e shtrengon veten.
Sa veshje të tjera duhet të blesh që kjo të ketë kuptim?
Përpiqem të mos blej gjëra që do të qëndrojnë thjesht në dollap. Dhe analiza që bëj është e thjeshtë:
- Me çfarë mund ta kombinoj?
- Për çfarë rastesh mund ta vesh?
- A përfshijnë këto raste biçikletën? (në rastin tim)
Nëse një blerje kërkon edhe dy-tre blerje të tjera që të funksionojë si veshje, më beso, nuk ja vlen barra qiranë. Ose do të qëndrojë në dollap, ose do harxhosh më shumë para vetëm për ta “justifikuar”.
A do të ketë jetëgjatësi ky artikull?
Ashtu siç më keni dëgjuar shpesh të them: bli një herë e mirë. Shpesh ngecim në grackën e modes së shpejtë, veshje të kategorise 9.99, që edhe nëse i veshim vetëm 2-3 herë, mendojmë: “s’ka gjë, lirë ishte”. Por a ja vlen? Pyete veten: A ja vlen kënaqësia e të veshurit diçka të re vetëm një herë, për ta hedhur pastaj në plehra?
Plerat ndoshta nuk qëndrojnë gjatë në shtëpinë tënde, por qëndrojnë në këtë planet për mbi 100 vite. Mendoje: 100 vite ndotje për 2-3 herë të veshur. Nuk tingëllon aspak e qëndrueshme, apo jo?
Rrobat duhet të shprehin qenien tënde, të komunikojnë personalitetin dhe vlerat. Një këmishë e bardhë do të japë pothuaj të njëjtin mesazh, pavarësisht sa palë të tilla ke. A na duhen realisht të gjitha versionet e mundshme të një fustani apo një këmishe? Apo na mjafton vetem një që do ta mbajmë për shumë kohë? Nëse e stiloni me aksesorë të ndryshëm mund t’i jepni një hije të re.
Çfarë qëndron pas uljeve masive?
Uljet na tundojnë të gjithëve. Por mendoni pak: Si është e mundur që një veshje të kushtojë aq pak? Sepse çmimin e vërtetë nuk e paguan ti. As marka. Por njerëzit në skajet më të varfra të botës, që punojnë në kushte skllavërie, pa sigurime, me orë të gjata. Çmimin e paguajnë vendet që marrin mbetjet tona, pasi prodhuesit nuk mendojnë për çfarë lënë pas.
Brigje të tëra në Gana dhe shumë shtete të tjera të varfra janë të ndotura nga “produktet 9.99”. Dhe nëse mendon se po dhuron rrobat e vjetra dhe po ndihmon dikë, në shumicën e rasteve, ato dhurime përfundojnë thjesht në landfill. Veshje që nuk duhen më nga askush, sepse askush nuk ka nevoje për aq shumë, aq më tepër produkte te konceptuara të konsumohen shpejt.
Te vetmit që ndihmohen nga ky sistem janë aksionarët e gjigandëve të modës së shpejtë. Ata nuk kanë ndërmend të ulin prodhimin. Të gjitha fushatat “e gjelbra” janë zakonisht “greenwashing”. Riciklimi nuk është zgjidhja, reduktimi është.
Këshilla praktike:
- Veshjet ceremoniale: Merrini hua nga shoqet/shokët ose merrini me qira.
- Tregohu i/e sinqertë me veten: A po blen për vete, apo për t’i dëshmuar shoqërisë diçka? Ke mjaftueshëm rroba në këtë moment që je duke lexuar.
- Nëse vertet do te blesh dicka, bej nje vleresim ne baze te pyetjeve te mesiperme dhe merr nje vendim.
Sa orë pune kushtoi dalja e fundit per pazar?
Kam mbi 10 vite që përdor këtë metodë. Merr çmimin e një artikulli që dëshiron, ose artikujve nese jane te kategorise 9.99, dhe ktheje në orë pune. Sa orë nga jeta jote do të sakrifikosh për ta bërë blerjen? A ja vlen? Ato nuk janë thjesht orë pune, por jetë. Momente kur nuk ishe me familjen, nuk ishe me miqtë, nuk ishe duke bërë diçka për qejfin tënd.
Nëse nuk është një nevojë, por tekë, përgjigjja është: jo, nuk ja vlen.
Si e kuptoj une nese nje produkt ja vlen per tu blere, pavaresisht se cfare thame deri tani.
Po jap një shembull konkret. Unë jetoj në Shqipëri, dhe në këtë klimë më duhet një xhup i mirë për dimër dhe çizme kundra ujit për ditët me shi. Po e vertete, mund të kem 2 variante për rotacion, nje te zi dhe nje kaf. Por çdo xhup shtesë përtej këtyre është teke, është kënaqësi afatshkurtër, eshte shperdorim.
Tekat dhe kënaqësitë afatshkurtra mund t’i kanalizojmë në eksperienca, në kohë të çmuar me familjen e miqtë, gjëra që ushqejnë shpirtin, jo dollapin.
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Pinterest-it (Hapet në një dritare të re) Pinterest
- Klikoni për ta ndarë me të tjerë në X (Hapet në një dritare të re) X
- Klikoni për ta ndarë me të tjerë në Threads (Hapet në një dritare të re) Threads
- Klikoni që ta ndani me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook