Europa Mënyrë Jetese Udhëtime

Jetë e Thjeshtë Buzë Detit – 40 ditë në Himarë

Fillimisht u ndje si një aventurë e re për mua, megjithatë marrëdhënia ime me detin (e ndoshta veçanërisht me jugun e Shqipërisë) është e kahershme. Vite më parë, kaloja 2-3 muajt e verës në një prej brigjeve të jugut. E gjithë vera ime shpërndahej në më pak se 600 m², dhe megjithatë ajo ishte e paqtë. Ajo ishte pranë detit.

Rreth gjashtë vite më pas, pikërisht këtë verë mora vendimin të kaloja një muaj në Himarë. E gjithë ndjesia e kësaj eksperience është e vështirë të përshkruhet me fjalë, ndaj në këtë artikull do të përpiqem të ndaj vetëm copeza të saj.

Për të siguruar akomodimin, punova vullnetare në një nga hostelet më të mira. Sfida e parë? Sistemi i rrobave dhe çdo gjëje tjetër që kisha marrë me vete. Duke qenë se isha me makinë, kisha marrë gjithçka: kitarën bass, biçikletën, çadrën e kampingut e të tjera si këto. Organizimi ishte i tillë: çdo javë merrja rrobat dhe ndërresat e nevojshme nga valixhja që e mbaja në makinë, ndërsa ato të javës së kaluar i laja dhe i fusja sërish brenda në valixhe. Kështu nuk kisha nevojë për shumë vend për rrobat në dhomën që e ndaja me 5 vullnetarë të tjerë nga USA, Australia dhe Zelanda e Re.

Çdo ditë i ngjante ditës tjetër. Varacionet ishin të vogla, por gjithsesi përjetoheshin si një aventurë më vete. Puna ishte shumë e thjeshtë: katër orë në ditë ndihmoja me punët e shtëpisë. Jeta në hostel ngjan me jetesën në një familje të madhe. Diferenca në moshë me vullnetarët e tjerë (dhe sidomos pushuesit) më jepte deri diku rolin e motrës së madhe. Detyra ime kryesore ishte procesi i plotë i larjes, tharjes dhe palosjes së çarçafëve. Nëse ndiqej siç duhej, gjithë ky proces kërkonte vetëm 15 minuta, çdo 45 minuta. 15 minuta punë dhe meditim në ajër të pastër.

Vite më parë punoja vetëm në distancë dhe nuk kisha asnjë angazhim jashtë laptopit gjatë muajve që kaloja në jug. Mendoj se këtë herë, ishte pikërisht puna vullnetare që i dha një kuptim tjetër ditës sime buzë detit. Kjo më bëri të përqafoj më shpejt idenë se po jetoja vërtet aty.

Orari i plazhit ishte ose në orën 08:00 të mëngjesit, ose në 18:30 të pasdites. Gjatë orëve të plazhit, përveç banjës së diellit dhe ndonjë xhiro me “stand-up paddle”, kam lexuar, kam dëgjuar muzikë dhe kam plotësuar fjalëkryqe.

Librat që i dhanë edhe pak nga shija e vet kësaj përvoje përfshinin:

  • Kukullat nuk kanë atdhe – Flutura Açka
  • Një vdekje shumë e ëmbël – Simone de Beauvoir
  • Të lirë – Lea Ypi
  • Dashuri gazmore – Milan Kundera

Shumicën e kohës përpiqesha të gatuaja vetë. Kuzhina e hostelit, edhe pse modeste, kishte të gjitha enët e nevojshme për të përgatitur shumëllojshmëri pjatash. Sallata e frutave me mjaltë nuk është ndarë në asnjë moment. Kam gatuar thjerrëza, quinoa, pasta, petulla, mish me sallatë dhe pjata të tjera të thjeshta.

Arrita të integroj rreth një orë stërvitje, dy herë në javë. Struktura ishte: 45 minuta “circuit” dhe 15 minuta muskuj barku. Duke qenë se Edicioni i 13-të i Triathlon Labeat ishte në horizont, stërvitesha në not 2-3 herë në javë. Më pas, shtova edhe vrapin dhe biçikletën, mesatarisht një herë në javë dilja për një 5K vrap ose 10-20 km biçikletë. Aktiviteti fizik më i dashur ishin seancat e Yoga-s. Edhe pse varionin nga 15 deri në 60 minuta, natyra dhe ajri i pastër i bënin ato seanca të ndiheshin magjike.

Himara është një destinacion i thjeshtë për tu vizituar dhe ofron mundësi për të gjithë. Për të mos përmendur plazhet publike që janë të shumta dhe ujin e ftohtë të Potamit. Gjatë gjithë kohës kisha miq që më vizitonin. Nuk kalonin më shumë se tre ditë pa ardhur dikush nga Tirana. Ishin pikërisht aktivitetet ditore dhe vizitat e miqve që nuk më lanë në asnjë moment të ndjej vetmi, përkundrazi. Jam introverte, dhe jeta në hostel, me njerëz të rinj përreth gjatë gjithë kohës, mund të ishte lodhëse për mua. Megjithatë, sigurisht që edhe unë arrita të krijoj miqësi të reja gjatë qëndrimit tim në bregdet.

Krijimi i një rutine të re, deri diku vetmitare, pranë detit, më dha një panoramë më të qartë të dëshirave dhe nevojave të mia, duke më hapur horizonte të reja. Afërsia me natyrën të ndihmon të forcosh perspektiva të reja në lidhje me atë çfarë është e rëndësishme dhe çfarë na bën realisht të lumtur. Gjatë ditëve në Himarë, shumë nga dyshimet dhe dilemat e mia morën përgjigje në mënyrë të natyrshme, thjesht u zgjidhën. Ndoshta, një jetë e thjeshtë dhe koncepti i mjaftueshmërisë, vërtet mund të sjellin një ndryshim të thellë në vetvete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *