Mënyrë Jetese Opinione Të tjera Udhëtime Vrapi

Një Çast Reflektimi Kushtuar 2025-ës

Ky fundvit, ashtu sikurse dhe ata me parë, kërkon ritualin e retrospektivës për vitin që po lë pas. Falë këtij reflektimi, mund të gjykoj më qartë dëshirat dhe rrugën time për vitin e ri. Shumë prej objektivave kërkojnë dedikim të vazhdueshëm, ose para dhe kohë. Për vitin 2025 kisha si objektiv të vizitoja një shtet aziatik. Për fat të keq, nuk arrita ta realizoja. Planifikimi dhe konkretizimi i udhëtimit po bëhej shumë i vështirë dhe e mora si shenjë që ta shtyja për më vonë. Fatmirësisht, është diçka që besoj se do ta realizoj shumë shpejt gjatë 2026.

Shkova në malet e Sharrit për ski për të filluar vitin. Në shkurt vizitova Berlinin për herë të parë dhe në mars kalova kohë me familjen në Alberobello. Ne prill ishte momenti i shumë pritur për të vizituar Petran e Wadi-Rum. Pjesën më të madhe të verës e kam kaluar larg Tiranës, kryesisht në Himarë. Kam vizituar Pejën për të bërë Via-Ferratën Marimangat dhe Thethin. Në fund të verës, vizitova për herë të parë ishullin e Sazanit dhe Shpellën e Haxhi Aliut, apo siç njihet ndryshe, Shpella e Piratëve. Bëra dhe një udhëtim të fundit jashtë vendit për në Poloni për një javë. Kështu arrita në 38 shtete të vizituara. Përveç Varshavës, vizitova dhe Zakopane dhe bëra ecjen malore për në Morskie Oko.

Përsa i përket garave, mora pjesë në 2 Sprint Triathlons, Himarë dhe Shkodër, tek të cilat fitova vendin e dytë, përgatitja e të cilave më shtyu të shkruaj “Triathlon vs. Maratonë: Dy Gara, Dy Dinamika”. Në disiplinën e vrapit mora pjesë në Gjysmë maratonën e Tiranës dhe një 10K në Durrës. Jam përpjekur të vrapoj të paktën një 10K në muaj, por jo gjithmonë ia kam dalë. Le të themi që nuk i kam dhënë prioritet. Jam mjaftuar me përgatitjen për garat.

Ndryshe nga vitet e tjera, 2025 kishte një objektiv të veçantë. Më shumë se objektiv, do ta quaja një sfidë. Sfida që të mos blej asnjë veshje apo aksesor, qofte të rinj apo të përdorur. Detajet e këtij objektivi i gjeni në artikullin “Si dhe Pse Lirova dhe Rregullova Hapësirën Time”. Realizimi i kësaj sfide ishte shumë i thjeshtë. Përjashtimet ishin vetëm një bluzë koncerti gjatë vizitës në Berlin dhe një palë vëth arabesk gjatë udhëtimit në Jordani. Megjithatë, duke e ruajtur modestinë e kësaj eksperience, do të vazhdoj të tregohem e kujdesshme për gjërat që do të blej në të ardhmen dhe sidomos për jetëgjatësinë e tyre.

Ashtu si më parë, 2025 kishte objektivin e leximit të 5 librave. Thuajse gjithmonë e kam tejkaluar këtë objektiv me 1–2 libra, por ky vit do të ishte ndryshe. Objektivin e tejkalova me 22 libra të rinj, gjithsej 27. Listën e tyre do ta bashkangjit në fund të artikullit, duke qenë se është më e gjatë se vitet e tjera. Lexova Drerin e Diana Çulit dhe “1Q84” të Haruki Murakamit, me mbi 1200 faqe, që i kisha vendosur si objektiva paraprakisht. E megjithatë, nga e gjithë lista që kam lexuar, do të veçoja:

  1. Këshilla për Jetën – Arthur Schopenhauer
  2. Kukullat nuk Kanë Atdhe – Flutura Açka
  3. Të lirë – Lea Ypi
  4. Dashuri Gazmore – Milan Kundera
  5. Junkie – William S. Burroughs.

Mendoj se tashmë e kam fituar vullnetin e leximit dhe e kam ndërthurur mjaftueshëm këtë zakon në jetën time, sa të mos vendos më objektiva ashtu sikurse kam vepruar deri tani.

Sikurse u shpreha dhe më parë, gjatë vitit 2026 synoj të vizitoj Azinë. Gjatë 2025 zbulova që dedikimi im ndaj Yoga-s po rritej në mënyrë të qëndrueshme, dhe gjatë vitit që vjen do të doja që ta eksploroja më tej atë rrugë. Përsa i përket zhvillimit profesional, bashkë me vitin 2025 po lë pas edhe karrierën e zyrës. Projektet e 2026 përfshijnë më shumë natyrë dhe më pak rregulla dhe burokraci. Është një ndryshim që erdhi shumë natyrshëm, frymëzuar nga eksperienca në Himarë e këtij viti që po lëmë pas. Jam shumë e emocionuar për projektin e ri që, për mua, dëshmon rëndësinë e të qëndruarit të hapur ndaj eksperiencave të reja. Nëse gjërat na paraqiten natyrshëm, përgjithësisht, duhet t’ia japim një mundësi.

Lista e Librave 2025 – Renditur nga ai që kam lexuar së fundmi

  • Pallati i Iluzioneve – Chitra Banerjee Divakaruni
  • Drekë e Zhveshur – William S. Burroughs
  • Junkie – William S. Burroughs
  • Queer – William S. Burroughs
  • The Heart of Yoga – T. K. V. Desikachar
  • 1Q84 – Haruki Murakami
  • Hippie – Paulo Coelho
  • Dashuri Gazmore – Milan Kundera
  • Të lirë – Lea Ypi
  • Një vdekje shumë e ëmbël – Simone de Beauvoir
  • Kukullat nuk Kanë Atdhe – Flutura Açka
  • Zahiri – Paulo Coelho
  • Kafka on the Shore – Haruki Murakami
  • Dashnori – Marguerite Duras
  • Ne Zgjidhim Vrasje – Richard Osman
  • Tregime Norvegjeze – Përkthyer nga Kozeta Nushi
  • Letër Babait – Franz Kafka
  • Përpara se Kafeja të Ftohet – Toshikazu Kawaguchi
  • Një mijë diej Vezullues – Khaled Hosseini
  • Vegjetariania – Han Kang
  • Këshilla për Jetën – Arthur Schopenhauer
  • Pylli Norvegjez – Haruki Murakami
  • Një Xhengis Khan i Kohëve Moderne – Alberto Bevilacqua
  • Dreri i Trotuareve – Diana Çuli
  • Joga Arti i të Jetuarit – Sui Thanasi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *