Asnjëherë më parë nuk më kishte rënë rruga për në Poloni. Ama e dija që, sapo të shkoja, do të vizitoja minimalisht edhe Krakovën. Këtë verë më erdhi një ftesë për të vizituar Varshavën, dhe me këtë rast munda të shkoja edhe në Krakovë dhe Zakopane.
Në Varshavë ndenja rreth katër ditë. Ishte një nga ato udhëtime pa nxitim, pa plane të ngjeshura. I vetmi qëllim që kisha ishte të shkoja në një koncert me muzikën e Chopin-it. Ditën e parë, me shone time vizituam Qytetin e Vjetër, duke nisur nga Gjykata Supreme e Polonisë. Më pas u endëm nëpër Barbakan Warszawski, përgjatë ‘Vistula Boulevards’, dhe deri tek biblioteka e Universitetit të Varshavës. Më vonë morëm biçikleta me qira nga Venturilo, për më pak se 1 euro, dhe shkuam në një zonë tjetër të qytetit. Varshava është një qytet me sipërfaqe të madhe, madje gati pesë herë më e madhe se Parisi.
Destinacioni ynë i radhës ishte zona me ndërtesat më të larta të qytetit, ku ndodhet edhe “dhurata” e Bashkimit Sovjetik: Pallati i Kulturës dhe Shkencës, një ndërtesë që nuk të shpëton pa rënë në sy. Drekën e hëngrëm tek Fabryka Norblina, një hapësirë e këndshme me shumë mundësi për ‘street food’ nga kuzhina të ndryshme të botës.



Ditën e dytë mora sërish një biçikletë me qira dhe u enda më tej në qytetin e vjetër, përfshirë edhe zonat që dikur ishin pjesë e getos. Edhe pse “geto” ka mbetur emri për atë zonën, në të vërtetë e gjithë Varshava është rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Rikrijimi i qytetit është bërë mjeshtërisht, por gjithsesi të jep një ndjesi moderne. Ndërtesa që duken të reja, me më pak se 100 vjet mbi supe. Dhe 100 vite janë fare pak për Europën.
Duke lëvizur vetëm me biçikletë, hasa vështirësi në orientim. Rrugët ndërthureshin vazhdimisht dhe ishte e vështirë të ruaje një drejtim të caktuar. Për këtë arsye, mu deshën gati 30 minuta më shumë për të mbërritur tek Royal Baths Park. Aty bëra një shëtitje të gjatë deri sa gjeta një vend të qetë për të lexuar. Më pëlqen shumë të lexoj në ajër të pastër dhe përpiqem ta bëj kudo që udhëtoj. Kuptohet, jo gjithmonë është e mundur, por vizita në Varshavë ishte vërtet për të shijuar edhe kohë me veten. Mbrëmja ishte rezervuar për muzikë klasike në Fryderyk Concert Hall. Një përvojë e shkurtër, por shumë e këndshme, ndoshta më e veçanta në gjithë përvojën time në Varshavë. Pas koncertit shijuam një çaj pranë Kalasë Mbretërore, për ta mbyllur ditën.


Dita e tretë ishte përsëri për shëtitje të lirë. Këtë rradhë e nisa shëtitjen nga ‘Powązki Cemetery’. Vizitova sërish vendet që më kishin lënë mbresa dhe mora kohën time për të bërë foto. Perëndimin e diellit e shijuam nga tarraca e Forest Campus, prej nga mund të shihje shtrirjen e gjerë të qytetit. Më pas u drejtuam tek Nocny Market, një vend plot gjallëri dhe me një koleksion kuzhinash të ndryshme, i ngjashëm me Fabryka Norblina, por me një atmosferë më të përshtatshme për mbrëmje. Mund të them se ishte përmbyllja e duhur e qëndrimit në Varshavë.
Të nesërmen në mëngjes mora trenin për në Krakovë. Udhëtimi zgjati rreth 2 orë e 40 minuta. Kisha rezervuar një vizitë për në Auschwitz, por natën e mëparshme më ndryshuan orarin dhe nuk mund të arrija në kohë. Ishte vërtet e vështirë për të rezervuar një vizitë atje, ndaj vendosa ta kaloja ditën në qytet. Ky rezultoi një vendim shumë i mirë, sepse pata mundësinë të shihja një qytet polak me ndërtesa origjinale, të vjetra.


Pas disa orësh endje në qytetin e vjetër dhe një pushimi buzë Vistulas, u drejtova për në fabrikën e Schindler-it. Sot ajo është shndërruar në një muze të vogël që tregon momentet e pushtimit nazist të Krakovës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këdo që ka parë filmin “Lista e Schindler-it”, muzeu të sjell shumë më afër ngjarjes, më saktë e sjell atë më pranë jetës tënde. Me përshtypjet që më la vizita në këtë qytet, u nisa drejt stacionit të autobusëve për të nisur rrugën drejt Zakopanes. Rruga zgjati rreth dy orë dhe mbërrita atje rreth orës 23:30.


Ditën e fundit në Poloni e kisha rezervuar për ecje malore. Në përgjithësi, vizitorët në këtë qytet të vogël qëndrojnë disa ditë dhe ndjekin itinerare që kërkojnë shumë orë ecje. Por mua më përshtatej diçka më e lehtë. Në orën 8:00 mora autobusin drejt liqenit Morskie Oko. Pagesa bëhej vetëm cash, dicka më pak se 5 Euro, dhe udhëtimi zgjaste rreth 45 minuta deri te hyrja e parkut natyror.
Sapo bleva biletën e hyrjes, nisa rrugën drejt liqenit. Ecja deri atje zgjati rreth dy orë, më një gjatësi prej 9.5 kilometrash, me terren të lehtë malor. Për çudi, e gjithë rruga ishte e asfaltuar, madje me dy korsi makinash. Nuk kishte automjete, përveç ndonjë furgoni biznesi brenda parkut dhe karrocave me kuaj për turistë. Asfalti ishte një surprizë jo fort e këndshme, pasi kisha veshur këpucë të përshtatshme për shtigje malore me gurë, aspak komode për asfalt. Nga ana tjetër, destinacioni ishte shumë popullor dhe gjatë gjithë rrugës kishte grupe njerëzish që ecnin pa pushim. Do ta krahasoja me shëtitoren e një qyteti bregdetar gjatë stinës së verës, vetëm se këtë herë të gjithë lëviznim në të njëjtin drejtim.


Pak para se të mbërrinim tek Morskie Oko, u shfaqën pamjet madhështore të majave përreth. Mięguszowiecki Szczyt Wielki dhe Mnich (ajo më e veçanta) ishin pamjet që të shoqëronin teksa pushoje buzë liqenit. Duke qenë se numri i vizitorëve ishte i lartë, ekzistonin rregulla strikte për të mbrojtur mjedisin. Futja në ujë ishte e ndaluar, si dhe të dilje nga shtigjet e shënuara apo të pushoje mes pemëve. Për dikë si unë, që nuk jam mësuar ta përjetoj natyrën nën rregulla kaq të rrepta, ishte e vështirë të gjeja qetësinë që kërkoja, aq më tepër me qarkullimin e pandërprerë të njerëzve.
Duke u endur gjeta një shkëmb të përshtatshëm për të pushuar dhe për të shijuar pamjen. Më pas bëra shëtitjen e plotë përreth liqenit dhe mora rrugën e kthimit për në Zakopane në të njëjtën mënyrë sikurse erdha. Parashikohej stuhi dhe reshje të forta në mbrëmje, ndaj nxitova për në hostel. E gjithë përvoja ime polake u përmbyll me zhurmën e stuhisë pas xhamave.
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Klikoni që të ndahet me të tjerët përmes Pinterest-it (Hapet në një dritare të re) Pinterest
- Klikoni për ta ndarë me të tjerë në X (Hapet në një dritare të re) X
- Klikoni për ta ndarë me të tjerë në Threads (Hapet në një dritare të re) Threads
- Klikoni që ta ndani me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook
