Europa Udhëtime

Nje surprizë drejt Rumanisë

Rumania është shteti im i 35-të dhe erdhi si një surprizë e bukur. Të kaloja ditën e Halloween-it në kështjellën e Kont Drakulës ishte dhurata më e veçantë e ditëlindjes që mora nga motra këtë vit. Në më pak se 48 orë përshkuam një pjesë të Rumanisë, duke krijuar kujtime të bukura së bashku.

Udhëtimi nisi një të mërkurë pasdite dhe mbërritëm në Bukuresht rreth orës 5:30 me orën lokale. Pasi u sistemuam në hotel, shkuam për darkë në qytetin e vjetër, i cili ishte rreth 20 minuta në këmbë nga hoteli ynë, kështu që shijuam edhe një shëtitje. Na kishin rekomanduar Tavernën “Covaci,” për darkë. Ushqimi ishte i mirë, megjithatë, jo diçka e jashtëzakonshme për çmimet që kishin. Pas darkës u endëm nëpër qytet dhe vizituam librarinë “Cărturești Carusel.” Nga brenda, ishte shumë interesante dhe kishte shumë hapësirë, por nuk të linte ndjesinë e një biblioteke që mund të të lënë libraritë e vjetra.

Cărturești Carusel

Mbrëmjen e mbyllëm herët, pasi autobusi për në “Peleș Castle” nisej në orën 7:15 të mëngjesit. Morëm byrek nga një furrë buke dhe arritëm në kohë tek autobuzi. Megjithatë, guida u vonua dhe në dalje të Bukureshtit ndeshëm shumë trafik. Rruga deri në destinacionin e parë, Kështjella Peleș, zgjati rreth 4 orë, së bashku me ndalesat rrugës.

Kur mbërritëm, kishte shumë radhë, pasi ishte ditë feste dhe shkollat ishin pushim. Pritëm rreth një orë në oborrin ballor të kështjellës, e cila ishte në rikonstruksion. Ndërtimi i kësaj kështjelle filloi në vitin 1873 dhe iu deshën rreth 40 vite për të përfunduar, së bashku me dekorin e brendshëm. Kështjella e Peleș ishte e para në Evropë që kishte instalime elektrike që nga ndërtimi i saj (History Hit, 2024). Eksplorimi i dhomave të kështjellës ishte shumë interesant, pasi çdo ambient i saj ofronte larmi stilesh dhe materialesh.

Pas përfundimit të guidës së nivelit të parë të kështjellës, u endëm në zonën përreth derisa erdhi koha të shkonim drejt Kështjellës Bran, vendi ku Bram Stoker vendosi personazhin e Kont Drakulës. Kjo kështjellë daton në vitin 1211 dhe ka qenë kryesisht një bazë mbrojtjeje ushtarake. Vlad Tepes nuk ka jetuar asnjë ditë në këtë kështjellë (Bran Castle, 2024). E vendosur në majën e një shkëmbi, kështjella ofronte pamje të luginave, kodrave dhe pyjeve përreth. Ambientet e brendshme ishin shumë të thjeshta, sa të kujtonin shtëpitë në Gjirokastër.

Një nga vajzat e mbretit të asaj kohe e rimodeloi kështjellën në fillim të shekullit të 20-të, duke e kthyer në një shtëpi verore. Kështjella të jepte disi ndjesinë e një labirinti, pasi dhomat ishin të vogla, me disa dyer, dhe kishte kalime të ngushta midis mureve prej guri. megjithatë nuk krahasohnej me fortesën San Felipe de Barajas, në Kartagjenë. Eksperienca ishte shumë interesante, aq më tepër gjatë Halloween-it, kur shumë vizitorë ishin të veshur me kostume. Në dalje të oborrit të kështjellës kishte një treg të madh suveniresh dhe ushqimesh, me një atmosferë të këndshme. Shëtitëm aty rrotull, hëngrëm diçka dhe u nisëm për pikën e fundit në itinerar.

Për shkak të nisjes me vonesë dhe radhëve në kështjella, shëtitjen në qytetin qendror Brașov e bëmë nga autobusi. Ky qytet ka një rëndësi të veçantë historike, fillimisht si qendër tregtie dhe më vonë si fuqi industriale gjatë periudhës së komunizmit. Në këtë qytet dallohen ndikimet gjermane në qendrën e tij, arkitektura e vjetër rumune, si dhe godinat komuniste të ndërtuara deri në vitin 1989.

Kthimi në Bukuresht ishte i gjatë dhe të gjithë e ndjenim lodhjen e ditës. Për të shmangur trafikun në autostradë, ndoqëm një rrugë alternative mes pyjeve të gjelbëruara dhe madhështore. Ditën e nesërme, kishim vetëm mëngjesin të lirë për të parë qendrën e Bukureshtit gjatë ditës. 

Destinacioni i parë ishte Pallati i Parlamentit, një ndërtesë me një sipërfaqe prej 365.000 m2 që mban vendin e parë në Rekordet Botërore të Guinness për ndërtesën më të madhe administrative (për përdorim civil), si dhe vendin e tretë në botë nga pikëpamja e volumit; është ndërtesa më e rëndë dhe më e shtrenjtë në botë (Bucharest International Conference Centre, 2024). Një ndërtesë impresionuese për nga madhësia dhe voluminoziteti. Më pas vazhduam shëtitjen drejt qytetit të vjetër, ndaluam për një kafe, dhe nisëm rrugën e kthimit për në shtëpi.

Ky udhëtim ishte një surprizë shumë e këndshme, që më hapi derën e një vendi të ri. Rumania është një nga ato shtete ku do të rikthehesha me kënaqësi. Ka ende për të zbuluar nga natyra dhe eksperiencat që të ofron, si banjot termale, minierat e kripës dhe të tjera kështjella.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *